Lezha
Qyteti i heronjve dhe lashtësisë

Aty ku Lumi Drin i jepte fund rrugëtimit të vet nëpër Shqipëri dhe bashkohej me Detin Ardiatik për të krijuar Gjirin e Drinit; aty ku takohen zgjatimet e fushave pjellore të Zadrimës, të Torovicës dhe të Bregut të Matës; aty në majën e një kodre në formë piramide, ku sot dallohen bedenat e Kalasë Mesjetare, dëshmohet në vijimësi një ndër vendbanimet me të hershme mesdhetare: LEZHA

Nuk është e lehtë të përmbledhësh në kaq pak faqe historinë e një qyteti si Lezha. Arkeologët konkludojnë se është një vendbanim ilir trimijëvjeçar. Fillimisht ishte Akrolisi në majën e Malit të Shelbumit, themeluar si fortifikim në shek. X p.k. Prej andej, në shekullin VI-V p.k banorët u zhvendosen në Kodrën e Kalasë dhe ngritën qytetin e Lisit, të cilin në shek IV p.k. e rrethuan duke ndërtuar një mur mbrojtës (2.6 km) me blloqe të mëdha gurësh të punuar. Fortifikimet qarkojnë 20 ha qytet me Akropol, me bosht qëndror nga maja e kodrës deri te porti lumor në breg të Drinit, që e lidhte qytetin e lashtë me limanin e Shëngjinit (Nimfeum) dhe me brigjet e Mesdheut duke lundruar me anijet e shpejta Liburne të prodhuara aty. Deri tani janë zbuluar konturet e plota të mureve me të 11 portat e hyrje-daljeve, që realizonin komunikimin me rrethinat, si dhe me thellësitë e kontinentit përmes karvaneve të rrugës së njohur që në antikitet: Lissus (Lezhë) - Ulpiana (Prishtinë) -Naissus (Nish). Janë zbuluar, gjithashtu, deshmi të tjera të zhvillimeve ekonomiko-shoqërore, si fragmente qeramike vendase, monedha me mbishkrimin Lisitan dhe objekte gjithfarësh, ku, për t’u përmendur, është thesari prej 120 sopatash të tipeve “Kelt” dhe “Dalmato-Adriatikas”. I tillë ishte ai qytet, ndër më të fortifikuarit e Ilirisë Jugperëndimore.

Muret rrethuese të Lisit, planimetria

 

Jeta e Lezhës\Lisit nuk ka njohur ndërprerje. Një sy sadopak i stërvitur dallon me lehtësi në rrënojat e mbetura periudhat ndërtimore ilire, romake, veneciane dhe osmane. Kësaj të fundit i përkasin rrënojat e kalasë mesjetare (Kastelnuova), që u kthye në garnizon ushtarak pas rikonstruksionit që i bëri në vitin 1521-1522 sulltan Selimi vetëm Akropolit, pjesës së sipërme të qytetit antik. Është ruajtur në gjendje relativisht të mirë deri në ditët e sotme kisha në kodrën përballë qytetit, në bregun tjetër të Drinit, ndërtuar më 1240, e cila është deshmi e kuvendit të parë franceskan, themeluar prej vetë Shën Françeskut të Asizit gjatë udhëtimit të tij të kthimit prej Vendeve të Shenjta. Krishtërimi në Lezhë duhet pranuar se ka zënë fill me Shën Palin Apostull, që e përhapi Ungjillin “nga Jeruzalemi në Iliri”. Gjatë periudhës së pushtimit osman rezidenca e saj ka qenë në fshatin Mërqi, ku, me përkujdesjen e papa Klementit XI, të mbiquajtur Albani për arsye të prejardhjes së tij shqiptare, u mblodh Kuvendi i Arbërit (1703) që ka një rëndësi të veçantë për fatet në vazhdim të gjuhës dhe kulturës shqiptare, përveçse të kishës katolike në këto troje.
Në Lezhë ka patur njërën nga rezidencat e saj mbretëresha ilire, Teuta; Dukagjinët e patën qytetin e Lezhës kryeqendër të principatës së tyre dhe princi i fundit i asaj dere, Lekë Dukagjini, u priu shqiptarëve pas vdekjes së Skëndërbeut dhe nuk e reshti luftën edhe pasi u nënshkrua prej venecianëve pushtimi osman i trojeve të Shqipërisë. Lezhën e Dukagjinëve e zgjodhi edhe Skënderbeu si qytetin më të përshtatshëm për të bashkuar princat shqiptarë (Besëlidhja e Lezhës: 2 Mars 1444) dhe aty ngrysi ditët e fundit të jetës së tij. Sot Katedralja e Shënkollit, ku është varrosur Heroi ynë Kombëtar, është kthyer në një Memorial me arkitekturë të re që vizitohet nga shumë vendas e të huaj.

Muret e Akropolit

 

Lezha është qyteti që bashkon tri treva me rëndësi të veçantë etno-kulturore për Shqipërinë e Veriut: Zadrimën, Mirditën dhe Malësinë e Madhe. Ato krahina, së bashku edhe me disa treva të tjera të Veriut, nuk e njohën asnjëherë tërësisht autoritetin e pushtetit religjozo-administrativ të osmanllinjve, por u vetëqeverisën sipas ligjeve të princit të tyre të fundit, Lekë Dukagjinit dhe jetuan me kujtimin e bëmave të Skënderbeut, flamurin e të cilit e ringritën në dhjetor të vitit 1912, pavarësisht se nëpër këmbë kishin trupat e pushtuesve të rinj serbë. Në ish-muzeun etnografik të rrethit, në një ndërtesë karakteristike qytetare, ka qenë pasqyruar kultura materialo-shpirtërore e këtyre trevave, e pasur veçanërisht në shumëllojshmëri kostumesh, zbukurime grarishte, vegla pune, armë të stolisura dhe instrumente muzikore.

Duke përshkruar muret antike të qytetit të Lezhës, historinë, kulturën materiale e shpirtërore, shpirtin poetik të popullit dhe figurat e shquara që kanë dalë nga gjiri i tij, duket sikur kemi përshkruar një qytezë imagjinare. Por do të shtonim: Lezha është një vend me dritë e me shumë diell, “është një qytet i ngritur në ajër, që mund të shihet nga të gjitha anët”(Ana Komnena, shek.XII). Ka malin, fushën, lumin e detin. Një tokë bujqësore, që, si i këndon 150 vjet më parë Zarishi: “Zoti i fali gjithçka asht nevoja e njeriut me jetue”.

Emra që udhëtojnë në histori…
Në këtë klimë të begatë, që herët u shquan individë me emër në kulturën tonë kombëtare si Lekë Dukagjini; Frang Bardhi nga Kallmeti, ipeshkëv i Sapës (Zadrimës), autori i më të parit Fjalor latinisht-shqip (Romë,1635) me rreth 5 mijë fjalë dhe i Apologjisë për Skënderbeun (Venecia 1936), shkruar në latinisht; Pjetër Zarishi (1806-1866) prift nga Blinishti i Zadrimës, i doktoruar për teologji, ndër poetët nismëtarë të Rilindjes sonë Kombëtare; me leksikologji u mor edhe Nikollë Gazulli lindur në Dajç të Zadrimës ku mori edhe mësimet e para prej Ndre Mjedës; i lindur në Fishtë dhe nxënës i kolegjit të Troshanit (të dy fshatra zadrimorë në rrethinat e Lezhës), është poeti Gjergj Fishta. Vargjet e tij, ndonëse të ndaluara rreptësisht për gati një gjysmë shekulli, janë përcjellë gojë më gojë duke u deklamuar në tubime familjare apo duke u kënduar me lahutë e çifteli deri në skena masive. Për Lezhën ai ka shkruar: “Qielli i kaltër, toka e blerë,\Njeti dimen, këtu pranverë”.

 

© Deliart Association - Miss Shqiperia - 2016