Pak histori për qytetin e Tiranës

Për tu njohur me historinë e qytetit të Tiranës, duhet të kthehemi shumë pas në kohë, pikërisht në kohën kur fjala “Tiranë” u përdor për herë të parë.

Për emrin e qytetit ekzistojnë shumë gojëdhëna, megjithatë studime serioze kanë dalë në perfundimin se emri i Tiranës është përdorur shumë herët në histori. Për këtë arsye sot kemi tre hipoteza kryesore:

Hipoteza 1

Sipas hipotezës së parë, fjala “Tiranë” mendohet se vjen nga fjala “Theranda”, e përmendur në burimet e lashta greke dhe latine, që vendasit e quanin “Të Ranat”, meqë fusha ishte formuar si rezultat i materialeve të ngurta që sillnin ujrat nga malet përreth.

Hipoteza 2

Hipoteza e dytë thotë se “Tirana” vjen nga “Tirkan”. Tirkan ka qenë një kështjellë në shpatin e Malit të Dajtit. Edhe sot e kësaj dite ekzistojnë rrënojat e kësaj kështjelle të lashtë, që daton në fillimin e Shekullit I para Krishtit. Kjo mendohet të ketë qenë kështjella që historiani bizantin Prokop (shek.VI), e quan Kështjella e Tirkanit.

Hipoteza 3

Hipoteza e tretë thotë se “Tirana” vjen nga greqishtja e vjetër, “Tyros”, që do të thotë bulmet. Mendohet se ky variant ka mbetur ngaqë në fushën e Tiranës bëhej tregtimi i bulmetrave nga barinjtë e zonave përreth.

Për herë të parë emri i Tiranës në formën e sotme përmendet në vitin 1418 në një dokument të Venedikut. Tirana filloi të formëzohet në 1614 nga Sulejman Pasha, i cili ishte me origjinë nga fshati Mullet. Fillimisht, ai ndërtoi një xhami, një furrë dhe një hamam. Këto tre ndërtesa qenë fillesat e qytetit, që hovin e zhvillimit do ta merrte në shek.XX.

Ky informacion është marrë nga Bashkia e Tiranës

Bashkia e Tiranës