Pak histori për Petrelën

1- Vështrim i përgjithshëm

Petrela ndodhet 12 km në juglindje të kryeqytetit, përgjatë rrugës nacionale Tiranë – Elbasan. Fshatrat e saj shtrihen në dy anët e luginës piktoreske së Erzenit, në gjysmën e distancës të gjatësisë së tij. Territori i Petrelës kufizohet nga lindja me Dajtin, në jug me Bërzhitën, në perëndim me Baldushkun dhe në veri me Farkën. Në këtë territor gjenden njësi fiziko-gjeografike mjaft të spikatura si: Kreshta e Farkës, 6 km e gjatë dhe me lartësi 445m mbi nivelin e detit; Kodrat Mullet-Fikas dhe Kalaja e Petrelës 550 m mbi nivelin e detit. Zona e Petrelës karakterizohet nga një natyrë me klimë tipike mesdhetare që pasurohet nga historia e lashtë e saj. Kjo zonë edhe për shkak të luginës së lumit Erzen dhe faktorëve të klimës mesdhetare ka një biodiversitet të pasur. Petrela nga vetë trajta e formimit fizik të saj, me fusha, kodra dhe lugina, mundëson një kontrast të mrekullueshëm të natyrës. Përgjatë lumit dhe kodrave që shtrihen pranë tij, janë ngritur mjaft restorante dhe resorte turistike. Në ditët e nxehta të vitit në rrjedhjen e lumit frekuentohet plazhi dhe aktivitete të ndryshme lumore.

2- Histori

Petrela përmendet që në shekullin XI, në luftimet ndërmjet normanëve dhe bizantëve, kur shkruhet në trajtën Petrula, nga Ana Komnena (1083 – 1153). Duhet shënuar se identifikimi Petrula-Petrela u bë nga A. Boue, i cili përmend Petrelën edhe dy herë të tjera në veprën e tij. Emërtimi që Marin Barleti, historiani i shquar i shek. XV, i ka bërë Petrelës si “oppidum inexpngnabile” (qytet i papushtueshëm) tregon që Petrela në atë kohë kishte marrë tiparet e një qyteti të vogël, të pajisur me mure të jashtëm rrethues. Në shekullin XV, aty banonte motra e Gjergj Kastriotit, Mamica. Në vitin 1445 Skënderbeu vendosi të bëjë një martesë princërore duke martuar motrën e tij Mamicën me sundimtarin e Petrelës, Muzakë Topinë. Sipas legjendës, në dasmë ishin të ftuar të gjithë prijësit e kohës.

3- Ekonomi dhe mjedis

Aktiviteti kryesor i zonës është bujqësia dhe blegtoria. Kohët e fundit ka marrë zhvillim kultivimi i vreshtave. Gjithashtu, banorët sigurojnë perimtari nëpërmjet serave. Toka bujqësore ndodhet në sipërfaqe fushore dhe kodrinore. Pozita gjeografike, relievi kodrinor dhe fushat përgjatë luginës mundësojnë kushte mjaft të favorshme për zhvillimin e pemëtarisë. Banorët e fshatrave kanë mbjellë plantacione me ullinj dhe rrush, duke prodhuar në mënyrë të vazhdueshme vaj ulliri, verë dhe pijen tradicionale shqiptare që është rakia. Kjo zonë për shkak të luginës së lumit Erzen dhe faktorëve të klimës mesdhetare ka një biodiversitet tepër të pasur. Lumi Erzen ofron mundësinë e peshkimit. Në ujërat e tij gjejmë peshkun e shijshëm, karakteristik i ujërave të ëmbla, peshkun Mustak. Flora e zonës karakterizohet nga një shumëllojshmëri bimore, të tilla si: manaferra, dëllinja, trëndafili i egër, rigoni, kamomili, mëllaga e egër, çaji i egër, lulja e basanit, fier guri, etj. Në mesin e kësaj flore të pasur gjenden dhe bimë me veti kuruese dhe mjekësore. Të pasurit e një larmishmërie kaq të madhe të bimëve kuruese, ka mundësuar në zonë zhvillimin e aktiviteteve të mbledhjes, përpunimit dhe shitjes së tyre.

4- Traditë

Petrela përmendet që në kohët e lashta për punimin e pëlhurave në vegje, endje, punim të fletëve të mullinjve të blojës, punishtet e prodhimit të vajit, punishtet e punimit të drurit, kovaçhanat për shkrirje bronzi e përgatitje armësh, vegla pune dhe enësh, etj. Tradita e punimit të pëlhurës si dhe punimeve me qëndisje është trashëguar deri në ditët e sotme. është në traditë të jetesës së zonës që çdo familje të ketë ndonjë bagëti të imët apo lopë, duke i mundësuar familjes sigurimin e qumështit dhe nënprodukteve të tij si: qumështi, djathi, gjiza, kosi, gjalpi etj. Vitet e fundit në fshatra ka filluar dhe ngritja e biznesit të baxhove, të cilat lëndën e parë e sigurojnë nga banorët e zonës që kanë bagëti. Traditë është prodhimi i djathit të dhisë mjaft i pëlqyer në treg. Për tu përmendur janë edhe pijet tradicionale me fruta e bimë të egra si dhe lloje të ndryshme lakrorësh me bimë të egra.