Ja ku jemi sërish në takimin tonë të përvitshëm me edhe për misset, të cilin në fakt do të më pëlqente ta quaja ndryshe: në takimin tradicional të qershorit, të muajit që pagëzon më të bukurën e vendit.

Siç edhe mund ta keni vënë re, kemi mbërritur tek ju, bashkë me misset, gjithmonë në ditë qershori. Kjo nuk kishte si të ndodhte në gjithë këto vite ashtu krejt rastësisht. Përkundrazi. Mirëpërcaktimi i kohës së organizimit të “Miss Shqipërisë” në axhendën e aktiviteteve të shumta të “Deliart Assocation” ka qenë dhe vazhdon të jetë një përpjekje më shumë e jona. Kjo për të treguar korrektesë dhe seriozitet në misionin që kemi marrë përsipër të kryejmë: në kurorëzimin e më të bukurës shqiptare me titullin “Miss Shqipëria”. Një titull ky që tashmë ka udhëtuar nëpër të gjitha vendet e botës, duke bërë gjithkund të njohur vendin tonë, me vlerat e historisë, kulturës dhe traditave të tij.

Rrjeti që kemi ngritur dhe fuqizuar tashmë nëpër të gjithë botën, kudo ku zhvillohen kompeticione bukurie, është dëshmia më e qartë e prezantimit tonë dinjitoz.

Nëse s’do ia kishim dalë dot të përcillnim këtë imazh të mirë, sigurisht që agjencitë ndërkombëtare të bukurisë nuk do të na i kishin hapur dyert për të hyrë në botën ku tashmë ne kemi arritur të rrëmbejmë edhe çmime. Vajzat që kanë bërë historinë e konkurseve të bukurisë shqiptare në vite janë bërë tashmë të famshme. Kanë në curiculum-et e tyre tituj të ndryshëm bukurie. Shumë prej tyre i gjejmë në auditore universitetesh, në agjenci reklamash, në sheshe xhirimi apo në skena spektaklesh. “Miss Shqipëria” i ka bekuar, duke u dhënë shanse të mëdha.

Prandaj edhe këtë vit drejt këtyre shanseve kanë rendur me qindra vajza (të regjistruara na rezultojnë mbi 200). Por vetëm 31 prej tyre kanë arritur të fitojnë të drejtën për të hyrë në këtë garë të madhe. E këtë vit i sigurojmë vajzave se shanset do të jenë edhe më të shumta. Përtej kurorës së mbretëreshës së mbrëmjes, apo titujve “Shoqëruesja e Parë”, “Shoqëruesja e Dytë”, “Miss Kinemaja” apo dhe “Miss Buzëqeshja”, vit pas viti kemi synuar që të fusim në këtë format spektakli dhe garën e bursave të studimit. Këtë vit për herë të parë, vajzat konkurente i janë nështruar dhe një testi inteligjence. “Universiteti Evropian i Tiranës” ofron dy bursa studimi, të cilat sigurisht që do të fitohen në garën ku veç bukurisë do të gjykohet edhe për gjithçka tjetër që kanë dhe dijnë të trasmetojnë këto vajza.

Pasarelat e këtij konkursi janë ngritur në kalanë e Elbasanit. Miss Shqipëria e 2007-ës do të kurorëzohet në këtë qytet, ku kemi shënuar stacionin e rradhës së udhëtimit që kemi nisur vite më parë. Ndërsa muaji kur mbërrijmë për të shpallur më të bukurën e dheut, mbetet po ai, qershori, vendet nuk janë asnjëherë njësoj. Nga Vlora, shkuam në Lezhë. Erdhëm në Elbasan. Do shkojmë kushedi se ku… Ajo që garantojmë është se nuk do ndalemi asnjëherë. Mekanizmi i “Deliart Assocation” nuk do të rreshtë kurrë së funksionuari, që aq kohë sa do të kemi energji për të ecur gjithnjë e më para. Juve s’ju mbetet gjë tjetër veçse të na ndiqni, të ecni bashkë me ne, ashtu siç keni bërë në gjithë këto vite. Ju jemi mirënjohës për këtë. Gjithçka ne bëjmë, merr vlerë me ju.

Faleminderit!

 

Copyright © Deliart Association. All Rights Reserved
Design Kreshnik Islami