logo

Miss Shqiperia
2026
06 Qershor

Deliart Association

Miss Shqiperia 2026


06 Qershor 2026


POGRADEC

Pogradeci është qytet në Shqipërinë juglindore, në bregun jugperëndimor të liqenit të Ohrit. Qyteti numëronte rreth 21 000 banorë në vitin 2011. Ndërkohë Bashkia e Pogradecit, e cila përfshin edhe njësitë administrative fqinje, numëron rreth 61 000 banorë.

Pogradeci ndodhet në juglindje të Republikës së Shqipërisë, është kryeqendra e rrethit të Pogradecit dhe bën pjesë në qarkun e Korçës. Qyteti ka një sipërfaqe prej 13 km² dhe shtrihet në bregun e liqenit të Ohrit. Pogradeci shtrihet 700 metra mbi nivelin e detit në një luginë, e cila rrethohet nga malet në perëndim dhe nga kodra të ulta në jug dhe në lindje.

Pogradeci është rrethuar nga fshatrat Tushemisht në lindje, Gurras në juglindje, Gështenjas në jug, Verdovë në perëndim dhe Memëlisht në veriperëndim.

Në Pogradec mbizotëron një klimë mesdhetare malore dhe pjesërisht kontinentale, me dimër të ftohtë dhe verë të nxehtë e të thatë. Temperatura mesatare vjetore është rreth 12.3 °C. Muaji më i ftohtë është janari dhe muaji më i nxehtë është gushti. Muaji më i lagësht është nëntori me reshje shiu mesatarisht 108 milimetra ndërsa sasia mesatare vjetore e reshjeve arrin në 730 milimetra.

Pogradeci ka një popullsi prej rreth 20.848 banorë (sipas rregjistrimit te popullsise ne vitin 2011) dhe një dendësi të popullsisë prej 2,962 banorë për km². Pogradeci ka gjithashtu një minoritet turk. Gjatë Perandorisë Osmane ky minoritet ishte shumë më i madh por, mbas pavarësisë së Shqipërisë, shumica e tyre braktisën Pogradecin për t'u vendosur në Turqinë e sotme.

Enkelejte kanë qenë fis që kanë jetuar brenda mureve të kalasë së ndërtuar në majë të kodrës pranë qytetit, në pjesën veri-perëndimore të qytetit. Dikur qyteti kishte dimensionet e kalasë, ku momentalisht gjenden vetëm rrënojat. Me rritjen e popullsisë dhe mbarimit të luftërave lindi nevoja e zgjerimit. Fillimisht rrëzë kodrës e më vonë deri në atë skaj saqë kalaja e vjetër nuk përbënte më qendrën e qytetit.

Pogradeci ka një histori të lashtë dhe dokumenta të shumta kulturore, gjeologjike dhe natyrore. Gërmimet arkeologjike në kodrën mbi qytet kanë zbuluar një vendbanim ilir të shekullit V para Krishtit, që i përket fiseve të lashta Desaret dhe mbase Enkelejve. Gjatë shekujve në vazhdim njerëzit e fshatit zbritën poshtë në rrëzë të kodrës dhe krijuan qytetin e Pogradecit, përgjatë bregut të Liqenit të Ohrit.

Zbulimet arkeologjike, që konfirmojnë popullimin në këtë rajon, datojnë nga Periudha Neolitike (6000 vjet para Krishtit), me popullsi dhe ndërtime në rritje gjatë periudhave të Bakrit, Broncit dhe Hekurit. 24 monumente natyre dhe 36 monumente të kulturës janë zyrtarisht të dokumentuara. Disa nga monumentet më interesante janë: - Rrënojat e një vendbanimi ilir dhe një kishë Kristiane me mozaikë shumëngjyrësh janë gjetur në fshatin piktoresk të Linit i cili ndodhet në brigjet e Liqenit të Ohrit. - Fshati i Selcës së sipërme i populluar që nga shekulli VI para Krishtit, kërkonte të bashkohej në betejat e Alexandrit të Madh. Pesë varre të lashtë monumentalë me hyrje të gdhendura tregojnë famën e qytetit të fuqishëm antik të Pelionit, ku ka jetuar mbreti ilir, Klit. - Rruga Romake Via Egnatia kalon përmes rajonit, nga Ohri, përgjatë fshatrave të Mokrës dhe mbaron në detin Adriatik në Durrës. Ura e Golikut (shek. XVII) ndërtuar mbi Lumin Shkumbin është gjurmë e kësaj rruge të vjetër romake. - Burime të shumta ujore përfshi Burimet e Drilonit ku uji i pastër dhe i kristaltë rrjedh në Lumin Drilon.

Në gadishullin e Linit mozaikët që datojnë shekullin e VI – VII të magjepsin me bukurinë e tyre, por gojëdhëna për perandorin Justinian të bizantit të shekullit të VI është shumë joshëse. Gojëdhëna thotë: Justiniani, perandori me origjinë ilire, në një moment kritik ka fshehur në brigjet e liqenit të Ohrit në afërsi me gadishullin e Linit një pjesë të rëndësishme të thesarit të perandorisë bizantine. Kjo gojëdhënë ka katërmbëdhjetë shekuj që vjen deri në ditët e sotme.

Rrënojat e kalasë të shekullit IV në kodrën mbi Pogradecit kanë disa formacione interesante me mure të parregullt gurësh. Që nga kalaja e vjetër, liqeni dhe pamjet e maleve janë të mrekullueshme, si është dhe pamja e formacionit shkëmbor Guri i Kamjes.

Kalaja e Pogradecit është e vendosur në majën e kodrës, në pjesën perëndimore të qytetit të Pogradecit, me lartësi 205 m mbi nivelin e liqenit të Ohrit. Ka filluar të banohej që në shekullin V para Krishtit, ndërsa në shekullin IV para Krishtit u pajis me mure mbrojtëse. Ka pasur një vjetërsi banimi prej 1400 vjetësh, duke qenë një kala iliro-shqiptare e hershme.

Pushtimi avaro-sllav në shekullin e VII-VIII dhe sidomos perandoria bullgare në shekujt XI-XII ndryshoi mënyrën e jetës në këtë zona nga ajo "polis" (jetohej brenda mureve të kalave) në atë sedentare fushore duke formuar vendbanime me toponimi sllave. Pogradeci do të shkruhej "Pogda grada", që do të thotë "nën qytet". Tashmë qyteti i ri shtrihej nën kalanë e vjetër ilire që është kalaja e Pogradecit.

Plazhi i Pogradecit ndodhet brenda në qytet përgjatë shëtitores "1 Maji". Është një plazh me rërë, ujë të pastër dhe mundësi për argetim. Në Pogradec ka edhe disa plazhe të tjera private e publike, me rërë e guralecë të vegjël. Jashtë qytetit janë plazhet me ujë të kristaltë të Linit dhe Tushemishtit.

Pogradeci ka një muze të pasur me dëshmi antikiteti dhe të kohës së luftës, ka kishën e vjetër ortodokse, që quhet kisha e Shën Mërisë dhe ndodhet në lagjen e vjetër të Pogradecit, si dhe një kishë të re, më arkitekturë shumë të vecante të quajtur Ringjallja. Qyteti gjithashtu ka dy xhami. Njëra ndodhet në qendër të qytetit dhe tjetra në lagjen e quajtur Goricë.

Katër kilometër në lindje të Pogradecit ndodhet pika turistike të Drilonit.



Burimi:

Sponsorët
tanë për vitin
2026